Dy ditë para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës më 6 gusht, Lista Serbe ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Supreme AA.nr.29/2026. Ankesa është dorëzuar vetëm tri ditë para skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Objekt i ankesës është kontestimi i mandatit të Nenad Rashiqit në Kuvendin e Kosovës. Lista Serbe pretendon se institucioni i ulëseve të rezervuara për komunitetin serb nuk është mbrojtur në mënyrë funksionale dhe se përfaqësimi i këtij komuniteti duhet të përcaktohet vetëm nga votat e pjesëtarëve të komunitetit serb.
Në reagimin e saj, Lista Serbe ka theksuar se ankesa nuk është bërë për mbrojtjen e një subjekti politik apo të një mandati të vetëm parlamentar, por për mbrojtjen e të drejtës kushtetuese të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë për përfaqësim autentik politik.
“Kjo ankesë kushtetuese nuk është dorëzuar për të mbrojtur një subjekt politik apo një mandat të vetëm parlamentar. Thelbi i saj është mbrojtja e të drejtës kushtetuese të popullit serb, por edhe të komuniteteve të tjera joshumicë, për përfaqësim autentik politik, që përbën një nga parimet themelore mbi të cilat mbështetet pozita kushtetuese e komuniteteve joshumicë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sipas Listës Serbe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme nuk iu përgjigjën çështjes thelbësore kushtetuese: nëse ruhet qëllimi kushtetues i ulëseve të rezervuara për komunitetin serb në rastet kur zgjedhja e përfaqësuesve të këtij komuniteti, sipas tyre, ndikohet nga votat e qytetarëve që nuk i përkasin komunitetit serb.
Pas zgjedhjeve të qershorit, Lista Serbe kishte paraqitur fillimisht ankesë në PZAP dhe më pas në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se partia e Nenad Rashiqit (ZSPO) kishte siguruar numër të konsiderueshëm votash në komuna ku, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, komuniteti serb pothuajse nuk ekziston. Të dyja instancat i refuzuan ankesat.
KQZ kishte vlerësuar se pretendimet e Listës Serbe nuk përbëjnë bazë ligjore për kontestimin e vlefshmërisë së votave apo të rezultatit zgjedhor. Edhe PZAP e shpalli ankesën të pabazuar, duke theksuar se e drejta e votës mbështetet në parimet e barazisë dhe fshehtësisë dhe se lista e votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike, pikërisht për të mos cenuar këto parime.
Në zgjedhjet e qershorit, Lista Serbe fitoi 9 nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb, ndërsa ulësja e dhjetë iu takua Nenad Rashiqit.
Nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet deri më 7 gusht, procesi kushtetues kalon në fazën e zgjedhjes së presidentit të vendit. Kushtetuta parasheh afat prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit dhe, në rast se edhe ky afat dështon, Kosova shkon sërish në zgjedhje të reja.
Opinionisti Gani Mehmeti, për “Bota sot”, ka folur rreth ankesës së Listës Serbe, duke thënë se kjo parti e keqpërdor garancinë e garantimit të mandateve të rezervuara për serbët dhe pakicat tjera të Kosovës.
Sipas tij, Lista Serbe nuk është duke punuar për të mirën e pakicës serbë në Kosovë.
“Më parë se të flasë rreth ankesës së Listës Serbe, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pyes Listën Serbe: Si do vepronit ju si Listë, sikur shqiptarët të ju kishin votuar juve? A do ankoheshit, a do i pranonit ato vota?
Garantimi i mandateve të rezervuara për serbët dhe pakicat tjera në Kosovës, nuk janë bërë për të luftuar r Republikën e Kosovës. E, ju, si Listë Serbe, jeni duke e keqpërdorur këtë garanci. Ju nuk jeni duke punuar për të mirën e pakicës serbe në Kosovë, por jeni duke kërcyer mbi to e po shkoni në Beograd, duke e luftuar me të gjitha mjetet bashkë edhe me Vuçiqin, Republikën e Kosovës. Pse ai nuk e njeh Kosovën, ju do duhej ta njihnit dhe të vepronit në kuadër të Kushtetusë së Kosovës dhe ligjeve të saja. Dhe, vetëm kur ju do të ishit për Pavarësinë e Kosovës, do të fitonit edhe të drejtën për garacinë e mandateve dhe për pjesëmarrje në qeverinë e Kosovës, ashtu si kërkohet me ligj e kushtetutë. Dhe, mos mendoni, nuk jeni të vetmit ju si Listë Serbe, por edhe nga shqiptarët që nuk punojnë mirë e drejt sipas ligjeve, do të lihen jashtë”, shprehet Mehmeti.
Duke iu drejtuar Listës serbe, ai i pyet ata pse nuk janë ankuar kur kanë marrë më shumë të drejta sesa iu kanë takuar.
“E, sa i përket ankesës së Listës serbe, vota është e fshehtë dhe kush do ia jep votën e tij kujt ai e sheh të arsyeshme. Madje, nëse paska pasur të atillë, iu lumtë. Shumë mirë. Ju si Listë serbe, nuk u ankuat pse morët më shumë të[ drejta se që ju takojnë. Sot po ankoheni pse paska pasur shqiptarë që kanë votuar një parti serbe e cila është për Pavarësinë e Kosovës, pra që njeh dhe zbaton ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Bëhuni edhe ju të tillë, dhe pastaj do flasim më ndryshe. Përse nuk jeni ankuar, të thoni se ne duam deputetë në Kuvendin e Kosovës, vetëm aq sa na takon dhe vetëm aq sa na japin votuesit, por keni pranuar dhjetë vende, a nuk janë shumë, kur serbë në Kosovë ka vetëm nja 50-60 mijë veta. Edhe nuk po të njof, edhe bëhu me mua – nuk ka”, thekson opinionisti.
Tutje, Mehmeti thotë se në zgjedhjet e ardhshme për shkak se janë në dirigjimin e Vuçiqit, Lista serbe nuk do të mund të fitojë më shumë se tre vende.
“Nuk shkruan se kush kë ka të drejtë ta votojë në zgjedhje sikur që nuk shkruan se kush kë nuk bën ta votojë. Vota është e lirë dhe e fshehtë, prandaj, kush kujt të dojë ia jep votën ose jo. Mund të ndodhë që në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë edhe më shumë serbët nga shqiptarët, pas aktualizimit të kësaj çështjeje nga ju. Mirë që na e përkujtuat e na mësuat se edhe kështu po bëka. Nuk do të fitoni më shumë se 3 vende ju si Listë Serbe në zgjedhjet e ardhshme deri sa jeni nën dirigjimin e Vuçiqit. Sipas Listës Serbe, institucionet zgjedhore dhe ato gjyqësore nuk kanë garantuar mbrojtjen kushtetuese të vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë. Ato nuk kanë marrë përsipër garancinë tuaj, aq më pak kur ju jeni kundër Republikës së Kosovës. Institucionet gjyqësore do duhej të ju dënonin si parti terroriste, që prej sulmit në Banjskë. Në ankesë kërkohet që Gjykata Kushtetuese të sqarojë nëse qëllimi i mandateve të rezervuara respektohet kur zgjedhja e përfaqësuesve të komunitetit serb ndikohet nga votat e qytetarëve që nuk i përkasin këtij komuniteti. Po, Gjykata Kushtetuese do duhej ndaluar të drejtën e funksionimit si parti Listën Serbe dhe të drejtën e zgjedhjeve ta kenë vetëm partitë që respektojnë ligjet, Kushtetutën dhe Republikën e Kosovës”, përfundon Mehmeti.
