Media ruse RT Balkan ka publikuar një shkrim kundër Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e paraqitur situatën e serbëve në Kosovë si “represion politik” dhe duke përsëritur narrativa të njohura të Beogradit kundër institucioneve të Kosovës.
Në shkrimin e publikuar më 25 maj 2026, RT pretendon se gjatë qeverisjes së Kurtit janë arrestuar “më shumë se 150 serbë” në Kosovë, për arsye që, sipas kësaj medie, lidhen me flamuj serbë, këngë, bluza me simbole serbe, por edhe me akuza për krime lufte dhe terrorizëm.
Mediumi rus shkon edhe më tej, duke pretenduar se vetëm në gjashtë ditët e fundit, para zgjedhjeve të 7 qershorit, janë arrestuar 13 serbë në Kosovë. RT i lidh këto arrestime me atmosferën parazgjedhore dhe e paraqet Kurtin si përgjegjës kryesor për rritjen e tensioneve.
Në tekst përdoret vazhdimisht terminologji fyese ndaj shtetit të Kosovës, duke e quajtur atë “shtet të rremë”, ndërsa institucionet e drejtësisë dhe sigurisë së Kosovës paraqiten si instrumente politike. Ky lloj formulimi është në përputhje me narrativat që Serbia dhe mediat pro-ruse i përdorin prej vitesh për të kontestuar shtetësinë e Kosovës dhe për ta paraqitur veriun e Kosovës si zonë të “persekutimit” të serbëve.
RT përmend edhe rastin e Banjskës, si dhe dënimet ndaj disa të akuzuarve serbë, duke i paraqitur ato si “skandal juridik”, pa e vendosur në qendër faktin se sulmi i armatosur në Banjskë ishte një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në Kosovë pas luftës.
Shkrimi i RT-së vjen në një moment të ndjeshëm politik, pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë. Në këtë kontekst, publikimi i një materiali të tillë nga një medium rus shihet si pjesë e përpjekjeve për ta goditur politikisht Qeverinë e Kosovës dhe për ta forcuar narrativën e Beogradit në opinionin serb dhe ndërkombëtar.
RT/Russia Today është medium rus ndaj të cilit Bashkimi Evropian ka vendosur masa kufizuese pas agresionit rus në Ukrainë, duke e akuzuar për dezinformim dhe manipulim informacioni në favor të Kremlinit.
Në tekstin e RT-së nuk jepet qëndrimi i institucioneve të Kosovës lidhur me pretendimet e ngritura. Deri më tani, autoritetet e Kosovës kanë theksuar vazhdimisht se veprimet e policisë dhe drejtësisë nuk bëhen mbi baza etnike, por në bazë të dyshimeve për shkelje të ligjit, përfshirë krime lufte, cenim të rendit kushtetues dhe aktivitete të lidhura me sigurinë.
