Lajme

Rigjykimi i katërt për vrasje në Prishtinë, Ahmeti dhe Vllasaliu dënohen me nga 17 vjet burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues edhe në rigjykimin e katërt për rastin e vrasjes së N.S., që ndodhi në qendër të Prishtinës në nëntor të vitit 2017.

Të akuzuarit Arlind Ahmeti dhe Agron Vllasaliu janë dënuar me nga 17 vjet burgim, ndërsa në rigjykimin e tretë secili prej tyre ishte dënuar me nga 16 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall të martën nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësi Ilir Foniqi dhe anëtarët Fatime Dermaku e Ertan Sejfulla.

Sipas vendimit të Gjykatës, Ahmeti dhe Vllasaliu janë shpallur fajtorë për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, e kryer me dashje eventuale”, për të cilën secili është dënuar me nga 15 vjet burgim.

Po ashtu, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, secili është dënuar me nga 2 vjet e gjashtë muaj burgim.

Në bazë të këtyre dënimeve, Gjykata u ka shqiptuar të dyve dënim unik prej 17 vjetësh burgim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të Ngjashme