Aktuale

SHBA pranon se ka a*më në orbitë/ Rriten shqetësimet për një garë të re arm*timesh në hapësirë

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar publikisht për herë të parë se kanë vendosur armë në orbitë, një zhvillim që ka shkaktuar reagime nga Kina dhe Rusia dhe ka ngritur shqetësime për përshpejtimin e garës së armatimeve në hapësirë.

Sekretari amerikan i Forcave Ajrore, Troy Meink, deklaroi se SHBA-të kanë aktualisht armë aktive në orbitë, të cilat synojnë të sigurojnë kontrollin e hapësirës dhe t’i përgjigjen kërcënimeve të mundshme. Ai nuk dha detaje mbi llojin apo numrin e armëve.

Një zëdhënës i Forcës Hapësinore amerikane sqaroi se “kontrolli i hapësirës” mund të përfshijë përdorimin e mjeteve kinetike dhe jo-kinetike për të ndikuar në aftësitë e kundërshtarëve, si për qëllime mbrojtëse, ashtu edhe sulmuese.

Deklarata amerikane ka shkaktuar reagime të menjëhershme në Pekin dhe Moskë. Kina akuzoi Uashingtonin se po përgatitet për luftë në hapësirë dhe paralajmëroi kundër shndërrimit të orbitës së Tokës në një fushëbetejë dhe zonë të re të garës së armatimeve.

Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia beson se hapësira duhet të jetë e lirë nga armët dhe bëri thirrje për demilitarizimin e saj.

SHBA-ja, Rusia dhe Kina prej vitesh dyshohet se po zhvillojnë kapacitete ushtarake për përdorim në hapësirë, përfshirë sisteme për bllokimin e sinjaleve satelitore, ndërhyrjen në komunikime dhe armë kinetike kundër objekteve në orbitë.

Ekspertët paralajmërojnë se konfirmimi publik amerikan mund të nxisë një garë të re armatimesh mes tre fuqive. Astronomi Jonathan McDowell tha se ishte e pritshme që SHBA-të të kishin kapacitete të tilla, ndërsa Rusia dhe Kina mund të përgjigjen duke zhvilluar ose vendosur sisteme të ngjashme.

Një tjetër shqetësim lidhet me pasojat e përdorimit të armëve kinetike kundër satelitëve. Në vitin 2021, Rusia shkatërroi një satelit të saj gjatë një prove me raketë anti-satelitore, duke krijuar mijëra copëza mbeturinash që mbetën në orbitë dhe shkaktuan shqetësim ndërkombëtar.

Të Ngjashme