Lajme

Shemben disa objekte pa leje në jug të Shqipërisë

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Shqipëri ka vijuar aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare të jugut të vendit, duke ndërhyrë në Llogara, Himarë dhe Qeparo.

Në zonën e Llogarasë, pjesë e Njësisë Administrative Orikum, është shembur një objekt pa leje me sipërfaqe 53 metra katror, njëkatësh, i ndërtuar me muraturë dhe i mbuluar me soletë.

Objekti ishte skualifikuar më herët nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK).

Ndërkohë, në zonën pranë plazhit të Filikurit, në Bashkinë Himarë, IKMT ka shembur një mur guri dhe betoni me gjatësi 290 metra dhe lartësi 2 metra.

Një tjetër ndërhyrje është kryer në Qeparo, ku është prishur një objekt dy-katësh me konstruksion betonarme dhe metalik, i ndërtuar pa leje ndërtimi.

Sipas autoriteteve, objekti kishte një sipërfaqe totale prej 264 metra katror,.

IKMT vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe zbatimin e ligjshmërisë në territor, veçanërisht në zonat turistike të vendit./rtsh.al/

Të Ngjashme