Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar dy takime në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Megjithatë, pavarësisht këtyre takimeve, ende nuk është arritur ndonjë rezultat konkret apo marrëveshje mes palëve.
Anëtari i LDK-së, Blerim Sinani, për “Bota sot” tha se LDK kërkon një marrëveshje të plotë dhe të balancuar, që garanton stabilitet institucional dhe respekton peshën politike të secilës palë.
Sipas tij, mundësia për marrëveshje ende ekziston nëse ka vullnet për kompromis, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për institucione funksionale, por jo me çdo kusht.

Blerim Sinani
“LDK ka kërkuar një marrëveshje të plotë dhe të balancuar, që garanton stabilitet institucional dhe respekton peshën politike të secilës palë, ndërsa pa një marrëveshje të tillë nuk do të ishte në interes as të LDK-së e as të Kosovës.
Unë besoj se mundësia për marrëveshje ende ekziston, nëse ka vullnet politik dhe gatishmëri për kompromis nga të gjitha palët. Në fund, qytetarët presin institucione funksionale, por jo me çdo kusht. Marrëveshja duhet të jetë e mirë për shtetin dhe ta respektojë partneritetin mes palëve”, thotë ai.
