Dështimi i radhës për të arritur një marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka futur skenën politike në një fazë të ndjeshme, ndërsa koha për një dakordim të mundshëm po shkurtohet.
Takimi i fundit ndërmjet kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa marrëveshje, pavarësisht përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për bashkëpunim institucional.
Pas takimit në ambientet e Kuvendit, Kurti tha për gazetarët se “nuk kemi lajme përderisa s’kemi marrëveshje”.
“Kur ta realizojmë marrëveshjen do të mund të ju njoftojmë”, tha Kurti.
Ndërkaq, Abdixhiku nuk është deklaruar për media pas takimit.
Takimi i së mërkurës ndodhi disa orë pasi eksponentë të LDK-së deklaruan se partia e tyre kërkon postin e presidentit.
Kutjojmë se, sot, më 6 gusht, pritet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, e cila shënon edhe nisjen e afateve kushtetuese për formimin e Qeverisë së re dhe për procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit. Në këtë situatë, mungesa e një marrëveshjeje mes dy subjekteve kryesore politike ngre pikëpyetje për funksionalizimin e institucioneve dhe për mundësinë e shmangies së një krize të re politike.
Qarri: Presidenti duhet të zgjidhet nga qytetarët, jo të mbetet peng i pazareve politike

Analisti politik Gani Qarri
Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se ngërçi i vazhdueshëm politik dhe pamundësia e partive për të arritur konsensus për krijimin e institucioneve funksionale dëshmojnë se Kosova ka nevojë për ndryshime kushtetuese, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Sipas tij, kreu i shtetit duhet të jetë figurë unifikuese dhe jo produkt i marrëveshjeve partiake.
“Përvoja e keqe me partitë aktuale, për arritjen e konsensusit politik dhe krijimin e institucioneve funksionale shtetërore, e bën të domosdoshëm ndryshimin e neneve të nevojshme të Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit me votën e qytetarëve. Presidenti duhet të jetë simbol i unitetit të popullit dhe jo vegël e partive politike, të cilat tash e gati dy vjet po e çojnë vendin nga zgjedhjet në zgjedhje dhe po e lënë pa institucione të qëndrueshme”, deklaron Qarri për “Bota sot”.
Ai thekson se me konstituimin e Kuvendit fillojnë edhe afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, por shpreh dyshime se kjo mund të realizohet për shkak të zhvillimeve të fundit brenda LDK-së.
“Rezultati i ngushtë i votimit për vazhdimin e mandatit të Lumir Abdixhikut tregon se brenda LDK-së ekzistojnë ndarje të thella, të cilat mund ta bëjnë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje me partinë fituese për zgjedhjen e presidentit, pasi mbetet e paqartë nëse numri i votave të deputetëve të kësaj partie do të jetë konstant”, shprehet ai.
Qarri vlerëson se takimet e zhvilluara ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së nuk kanë prodhuar rezultat konkret, duke shtuar pasiguri rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje politike.
“Përkundër takimeve disaorëshe ndërmjet përfaqësuesve të LVV-së dhe LDK-së, nuk pati asnjë marrëveshje konkrete. U tha vetëm se bisedimet do të vazhdojnë, gjë që lë të kuptohet se ende ekzistojnë paqartësi dhe mospajtime serioze mes palëve”, thekson ai.
Sipas analistit, oferta e bërë nga LVV-ja për bashkëqeverisje do të duhej të ishte shqyrtuar më seriozisht nga LDK-ja, duke pasur parasysh rezultatin zgjedhor dhe situatën e brendshme të kësaj partie.
“Oferta për postin e kryetarit të Kuvendit, pozitën e zëvendëskryeministrit dhe disa ministri ishte një mundësi që LDK-ja duhej ta shqyrtonte me seriozitet. Në vend të kësaj, insistimi vetëm në postin e presidentit nuk ndihmon në zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale”, deklaron Qarri.
Ai shton se zgjedhja e një presidenti jopartiak do të ishte alternativa më e pranueshme për të gjitha subjektet politike dhe në interes të qytetarëve.
“Edhe vetë LVV-ja është deklaruar publikisht se është e gatshme të mbështesë një president jopartiak. Ky do të ishte opsioni më i mirë për vendin dhe një mundësi reale për tejkalimin e ngërçit politik”, vlerëson ai.
Në fund, Qarri paralajmëron se mungesa e një marrëveshjeje mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme, me pasoja politike dhe ekonomike.
“Nëse nuk arrihet konsensus për funksionalizimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, rrezikohet vazhdimi i krizës institucionale dhe shkuarja në zgjedhje të reja. Kjo do të ishte barrë e rëndë për buxhetin e shtetit, provë e durimit të qytetarëve dhe një situatë që nuk i shërben stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës”, përfundon Qarri.
Burjani: Kurti ka vetëm një rrugë, në të kundërtën zgjedhjet janë të pashmangshme

Blerim Burjani
Kurse për këtë temë, për “Bota sot” foli edhe Blerim Burjani, i cili tha se çështja është e komplikuar dhe se, sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka vetëm një rrugë për të shmangur zgjedhjet.
Ai theksoi se një marrëveshje me LDK-në do të ishte zgjidhja, duke i dhënë asaj pozitën e presidentit dhe disa ministri, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Çështja është e komplikuar. Kurti ka vetëm një rrugë: t’ia japë pozitën e presidentit LDK-së dhe 5 ministri në mesin e ministrive, Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në të kundërtën, zgjedhjet janë të pashmangshme. Më keq është shteti sesa LVV dhe LDK.
Kokëfortësia e VV-së dhe ndoshta e elektoratit që voton kështu, duke e ditur se Kurti nuk jep institucione, por konflikt dhe prodhon zgjedhje, është problem serioz. Pra, nëse dihet pse duhet të votohet, kjo çështje mbetet e hapur. Ose vetëdijesim i elektoratit, ose vetëshkatërrim”, u shpreh Burjani.
Krahas kësaj, ai tha se përgjegjësia politike duhet të lidhet me interesin e shtetit dhe jo me interesat partiake apo individuale.
“Vetëshkatërrimi vjen nga papërgjegjësia, frajerllëku politik dhe mosdashja e mosvendosja e shtetit në rend të parë, e jo interesi partiak dhe individual”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.
