Lajme

​Të premten shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve për rastin Banjska

Të premten (më 24 prill) në Gjykatën Themelore në Prishtinë në orën 15:00 shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjskë, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Policia e Kosovës ishte sulmuar nga një grup i serbëve të armatosur më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Si pasojë ishte vrarë një rreshter policor, ndërsa gjatë këmbimit të zjarrit në vijim ishin vranë tre sulmues serbë.

Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq janë vetëm tre nga 45 personat e përfshirë në aktakuzën për sulmin në Banjskë, që Kosova e cilëson si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të.

Tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash. 

Të Ngjashme