Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit është zgjatur edhe për tre javë të tjera, pas një takimi mes zyrtarëve izraelitë dhe libanezë në Zyrën Ovale.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se takimi, ku morën pjesë edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, “shkoi shumë mirë”.
Ai shtoi se SHBA-ja do të punojë me Libanin për ta ndihmuar të mbrohet nga Hezbollah.
Ndërkohë, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi se nuk është i sigurt nëse armëpushimi do ta ndalë plotësisht konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut.
“Qeveria libaneze nuk ka kontroll mbi Hezbollahun. Ata po hedhin raketa për të sabotuar armëpushimin dhe Izraeli duhet të kundërpërgjigjet”, tha ai për CNN, sipas BBC.
Komentet e tij erdhën pasi ambasadorët izraelitë dhe libanezë në SHBA u takuan në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump shpalli zgjatjen e armëpushimit ekzistues 10-ditor.
Ndërkohë, çmimet e naftës janë rritur lehtë në tregjet aziatike edhe pas njoftimit për zgjatjen e armëpushimit.
Nafta Brent u rrit për 0.7 për qind, duke arritur në afro 105.80 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit për 0.6 për qind në 96.50 dollarë.
Rritja e çmimeve vjen pasi Trump deklaroi se SHBA-ja do të shtyjë sulmet ndaj Iran deri në paraqitjen e një “propozimi të unifikuar” nga Teherani.
Në të njëjtën kohë, transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet kryesisht i bllokuar, duke shkaktuar pengesa në rrjedhat globale të energjisë.
