Ukraina goditi më shumë objekte nafte thellë brenda Rusisë në sulme gjatë natës, tha të enjten Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Forcat ukrainase goditën një rafineri në Bashkortostan, më shumë se 1,300 kilometra (800 milje) pas vijës së frontit në Ukrainën lindore, si dhe një rafineri në rajonin e Jaroslavl, pothuajse 700 kilometra nga kufiri ukrainas, tha Zelenskyy në mediat sociale.
Gjithashtu, forcat ukrainase goditën dy anije patrullimi ushtarake ruse në Detin e Zi, sipas Zelenskyy, si dhe anije që i përkisnin të ashtuquajturës flotë në hije të Moskës , të cilën Rusia e përdor për të shmangur kufizimet perëndimore mbi eksportet e saj të naftës. Ai nuk dha detaje rreth anijeve apo shkallës së dëmit.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të enjten se mbrojtja e saj ajrore gjatë natës rrëzoi 605 dronë ukrainas mbi një numër rajonesh ruse, si dhe Krimenë e aneksuar ilegalisht dhe Detet e Zi dhe Azov.
Ndërkohë, sulmet me dronë dhe bomba ajrore ruse në të gjithë Ukrainën gjatë natës vranë të paktën tre civilë dhe plagosën 22 të tjerë, thanë autoritetet të enjten.
Forcat e Moskës kanë goditur Ukrainën në javët e fundit me raketa balistike, të cilat zyrtarët e Kievit thonë se vetëm sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot i prodhuar në SHBA mund t’i ndalojë.
Por lufta me Iranin ka shterur rezervat e raketave interceptuese Patriot, duke e lënë Ukrainën në mëshirën e bombardimeve ruse që kërkojnë të shfrytëzojnë mbrojtjen e saj të dobësuar ajrore.
