Zgjedhjet e shpallura më 7 qershor kanë arritur të marrin vëmendjen jo vetëm opinionit vendor, por edhe atyre ndërkombëtarë.
Këto zgjedhje konsiderohen vendimtare jo vetëm për përbërjen e Kuvendit, por edhe për drejtimin politik që do të marrë Kosova në vitet e ardhshme.
Partitë politike po zhvillojnë fushata intensive, duke premtuar reforma, zhvillim ekonomik dhe forcim të sundimit të ligjit.
Megjithatë, përtej garës elektorale, sfida kryesore mbetet krijimi i një shumice stabile parlamentare që do të mund të marrë vendime të rëndësishme shtetërore, përfshirë zgjedhjen e presidentit.
Deklarata e ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka marrë së fundmi vëmendjen, pasi vjen në një moment të rëndësishëm politik për vendin, kur vëmendja është përqendruar te zgjedhjet e 7 qershorit dhe proceset që do të pasojnë pas tyre.
Ai ka theksuar se është thelbësore që Kuvendi i ri, i dalë nga këto zgjedhje, të ketë kapacitetin dhe stabilitetin politik për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të vendit.
Sipas tij, kjo është e domosdoshme për të shmangur një krizë të re institucionale dhe për të garantuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore.
Ambasadori Hargreaves ka paralajmëruar se mungesa e konsensusit politik pas zgjedhjeve mund ta çojë vendin drejt bllokadave institucionale, një situatë që Kosova e ka përjetuar edhe në të kaluarën.
E të gjendur në këtë situatë a mund të ndikojnë në zgjedhjet e 7 qershorit deklaratat e diplomatëve ndërkombëtarë: si presion apo ndërhyrje më të madhe ndërkombëtare nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje për presidentin?
Zogaj: Hargreaves po përpiqet të e këshilloj vendin tonë
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.

Skënder Zogaj
Ai vlerëson se bashkësia ndërkombëtare ka treguar vazhdimisht interes për stabilitetin dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës, por sipas tij, institucionet vendore nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur këtyre këshillave pas vdekjes së Ibrahim Rugova.
Publicisti thekson se, deklarata e Jonathan Hargreaves është një paralajmërim miqësor për të shmangur krizën politike dhe kthimin prapa të Kosovës.
“Interesimi ndërkombëtar për zhvillime të tjera të domosdoshme për konstituimin e plotë të shtetësisë së Kosovës ka qenë vazhdimisht i madh dhe i dëshirueshëm, sepse Kosova është pikë e ndjeshme strategjike për Evropën dhe paqen në rajon. Prandaj ka pasur deklarime të shumta e të vazhdueshme, por Kosova u ka kushtuar pak rëndësi, sidomos pas vdekjes së presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili i mirëkuptonte dhe i realizonte me qetësi preferencat e interesit vendor dhe ndërkombëtar.
Por, pas vdekjes së tij, jo vetëm që ka ndryshuar pozicioni i Kosovës, por ai po degjeneron dukshëm, me të papritura të çuditshme që janë për brengosje të thellë, sepse po na shkaktojnë krizë të rrezikshme me prirje për kthim prapa.
Këtë krizë po e shohin ndërkombëtarët, prandaj po përpiqen të na këshillojnë. Deklarata e ambasadorit britanik Jonathan Hargreaves e ka këtë qëllim, sepse ai përfaqëson vendin që ka investuar në çlirimin e Kosovës”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, publicisti shton se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë vetëm me këshilla diplomatike, ndërsa përgjegjësia për zgjidhjen e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit mbetet te klasa politike dhe vota e qytetarëve të Kosovës.
“Por unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare assesi nuk do të bëjë presione; ajo do të qëndrojë në pozitën e këshillëdhënies. Kështu, situata do të jetë ajo që e gatuan klasa politike e Kosovës dhe vota e elektoratit, e cila duhet të jetë e pranueshme për të gjithë partnerët e jashtëm, sepse jemi 26 vjet në liri dhe nuk do të kishte asnjë fije kuptimi që diktatet nga jashtë të ndikojnë e të diktojnë zgjidhje.
Sinjalet diplomatike po ndodhin dhe partitë politike e kanë për detyrë t’i shohin e t’i gjykojnë me përgjegjësi, sepse zgjidhjen duhet ta gjejnë, e jo të krijojnë inskenime krizash”, foli Zogaj për “Bota sot”.
Mehmeti: Nëse pas zgjedhjeve krijohet një situatë bllokuese, është e pritshme që të ketë angazhim më të madh diplomatik
Ndërsa, njohësi për çështje politike Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që mesazhet e diplomatëve ndërkombëtarë janë thirrje për përgjegjësi politike dhe shmangie të krizave institucionale që mund ta dëmtojnë stabilitetin dhe reputacionin e Kosovës.

Faton Mehmeti
“Deklaratat e diplomatëve ndërkombëtarë, sidomos të vendeve me peshë si Britania e Madhe, nuk duhen parë si ndërhyrje direkte në politikën e brendshme të Kosovës, por si sinjal i qartë shqetësimi për rrezikun e një krize të re institucionale.
Përvoja e viteve të fundit ka treguar se mungesa e konsensusit për çështje madhore, si zgjedhja e presidentit, mund ta fusë vendin në bllokadë të gjatë politike dhe të prodhojë zgjedhje të njëpasnjëshme, gjë që dëmton stabilitetin institucional dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, u shpreh analisti.
Në fund, njohësi u shpreh se deklarata e ambasadorit britanik është paralajmërim për partitë që të shmangin bllokadat politike dhe të arrijnë kompromis pas zgjedhjeve.
“Fakti që ambasadori britanik e thekson publikisht nevojën që Kuvendi i ri të jetë në gjendje ta zgjedhë presidentin, tregon se partnerët ndërkombëtarë po i paralajmërojnë partitë politike që të mos hyjnë në kalkulime të ngushta partiake që mund ta paralizojnë shtetin. Nëse pas zgjedhjeve krijohet një situatë bllokuese, është e pritshme që të ketë angazhim më të madh diplomatik, presion politik dhe ndërmjetësim nga aleatët ndërkombëtarë për të shtyrë drejt kompromisit”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.
