Aktuale

“Jo më shumë se dy mandate për kryeministrin, presidenti të zgjidhet edhe nga populli” – Pedagogët i drejtohen Kuvendit me 15 propozime

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) dhe Kolegji i Profesoratit Shqiptar i kanë drejtuar një letër të hapur Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kryetarëve të grupeve parlamentare dhe anëtarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke kërkuar një reformë që synon rikthimin e besimit te vota.

Në letrën e datës 26 nëntor 2026, sindikata thekson se cilësia e demokracisë në vend ndikon drejtpërdrejt edhe në funksionimin e institucioneve të tjera, përfshirë universitetet. Sipas saj, protestat e zhvilluara prej muajsh nga studentë, pedagogë dhe qytetarë në Tiranë dhe qytete të tjera tregojnë se një pjesë e shoqërisë nuk ndihet e përfaqësuar dhe nuk beson se institucionet u përgjigjen shqetësimeve të saj.

Në letër ngrihen si shqetësime kryesore ndarja dhe balancimi i pushteteve, barazia para ligjit dhe llogaridhënia e zyrtarëve publikë. Sindikata shpreh gjithashtu shqetësimin për aktet normative nr. 5/2026 dhe nr. 6/2026, si dhe VKM-në nr. 815/2026, të cilat, sipas saj, kufizojnë të drejtën për protestë dhe lirinë e shprehjes.

SPUSH argumenton se një zgjidhje politike e qëndrueshme nuk mund të arrihet pa një reformë zgjedhore që garanton përfaqësim të drejtë dhe barazi të votës. Në këtë drejtim, ajo i referohet edhe rekomandimeve të misionit të vëzhgimit të ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2025, duke theksuar se shumë prej rekomandimeve të mëparshme mbeten ende të pazbatuara.

Propozimet për Reformën Zgjedhore

Në dokumentin e bashkëlidhur, sindikata paraqet 15 propozime konkrete, që përfshijnë ndryshime në sistemin zgjedhor, përfaqësimin e diasporës, pushtetin vendor dhe mënyrën e administrimit të zgjedhjeve.

Ndër kërkesat kryesore është kalimi në një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista plotësisht të hapura dhe prag elektoral jo më të lartë se 3%. Gjithashtu, propozohet që votuesit të kenë të drejtë të votojnë deri në tre kandidatë në listën e votimit dhe të lejohen koalicionet parazgjedhore me lista të hapura.

Një tjetër kërkesë lidhet me diasporën. Sipas sindikatës, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit duhet të kenë jo vetëm të drejtën e votës, por edhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend, përmes një numri të përcaktuar mandatesh.

Në lidhje me iniciativat qytetare, kërkohet që ato të regjistrohen në KQZ si subjekte elektorale, si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për ato vendore.

Sa i përket pushtetit vendor, propozimet parashikojnë zgjedhjen e kryetarëve të bashkive dhe të njësive administrative me dy raunde votimi, me kufizim deri në dy mandate. Ndërsa anëtarët e këshillave bashkiakë kërkohet të zgjidhen me lista plotësisht të hapura, ku qytetarët të kenë mundësi të votojnë deri në tre kandidatë.

Sindikata kërkon gjithashtu riformatimin dhe ristrukturimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që administrimi i zgjedhjeve të bëhet nga institucione të paanshme dhe jopartiake, të drejtuara nga profesionistë me integritet të provuar. Propozohet edhe që komisionet zgjedhore në të gjitha nivelet të jenë jopartiake.

Një tjetër propozim lidhet me mënyrën e votimit dhe numërimit. SPUSH kërkon votim tradicional me fletë letre dhe numërim përmes leximit digjital me skanim optik. Për të shmangur identifikimin e votës së zgjedhësve, propozohet që votat të bashkohen dhe përzihen për çdo njësi administrative përpara numërimit, ndërsa verifikimi i materialeve zgjedhore të bëhet për çdo qendër apo kuti votimi.

Kufizim mandatesh për kryeministrin dhe zgjedhje të drejtpërdrejta për presidentin

Në propozimet e saj, sindikata kërkon që kryeministri të mos ushtrojë detyrën për më shumë se dy mandate.

Për Presidentin e Republikës propozohet zgjedhja nga Kuvendi, me konsensus të gjerë politik mes pozitës dhe opozitës, në jo më shumë se tre raunde votimi dhe me kufizim deri në dy mandate.

Në rast se nuk arrihet konsensusi politik, SPUSH propozon që brenda 45 ditëve Presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Në përfundim të letrës, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë dhe Kolegji i Profesoratit Shqiptar shprehen të gatshëm t’i paraqesin dhe diskutojnë propozimet në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, si dhe të kontribuojnë me ekspertizën e anëtarëve të tyre.

Të Ngjashme