Diskutimet për projektligjin “Për sponsorizimet” në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën janë shoqëruar me përplasje të forta mes kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe kryetares së komisionit, Ina Zhupa.
Debati për kohën e fjalës është zhvilluar në tone të larta, ndërsa Zhupa i ka kujtuar Ballës se ndodhej në një komision parlamentar dhe jo në një mbledhje të Partisë Socialiste.
“Po mos bërtit mo se nuk tremb njeri, nuk je në PS këtu, je në Komision”, i është drejtuar Zhupa kreut të grupit parlamentar socialist.
Pas kësaj ndërhyrjeje, Balla ka kaluar nga diskutimi për kohën e fjalës te paralajmërimi për shkarkimin e kryetares së komisionit, duke deklaruar se mund të mbledhë firma për largimin e saj.
“Jo vetëm që të tërheq vëmendjen, por unë të mbledh firma dhe të shkarkoj m’u në mes të seancës plenare. Kjo është që ta dish ti. Ose mëso sillu me njerëzit këtu”, është shprehur Balla.
Deputetja e PD i është kundërpërgjigjur duke i cilësuar deklaratat e tij si kërcënime dhe duke i kujtuar se nuk i takon mazhorancës të vendosë se kush do të përfaqësojë opozitën.
“O zoti Balla, këto kërcënimet, nuk vendosni ju se kush do jetë opozitë”, ka deklaruar Zhupa.
Duket se për Ballën, dita e sotme nisi me përjashtime dhe vijoi me paralajmërime për shkarkime.
Pas përjashtimit të Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i PS-së në mëngjes, kreu i grupit socialist paralajmëroi edhe shkarkimin e Ina Zhupës.
Por këtë herë, përballë tij nuk ishte një deputete e PS-së, por kryetarja e një komisioni parlamentar nga radhët e opozitës./VNA
